
(Xhevdet KRASNIQI: “Shtegtim shpirtëror”, botoi KL “Fan S. Noli”, Prizren 2008)
Shkruan:
Enver SULAJ
Libri “Shtegtim shpirtëror” i poetit të ndjerë Xhevdet Krasniqi (1970-2008), që sheh dritën e botimit post mortum, ngërthen më vete dy paradokse, që në letërsinë tonë jo që nuk janë të njohura, por u takojnë realiteteve të tjera kohore, që shënojnë përpjekjet e krijuesve për të mbijetuar në gjirin e tiranisë e të diktaturës dhe përthyerjeve të përgjakshme, të diktuara tragjikisht edhe nga premisa ideologjike.
Paradoksi i parë ka të bëjë me distancën e gjatë në mes kohës së shkrimit dhe kohës së botimit. Krijimet e këtij autori, 23 poezi, shkrimi autobiografik “Jeta ime”, portreti për mësuesin dëshmor Nasimi Elshani dhe drama e papërfunduar “Qëndresa”, botohen pas plot 16 vjetësh nga momenti kur ai e shkroi poezinë e parë.
Ne që jetuam në një kohë me Xhevdetin, e kishim bashkëmoshatar dhe bashkëvuajtës, mund t’i kuptojmë plotësisht të dy këto paradokse, sepse ai nuk mund të bënte një jetë të dyfishtë: një në jetën e përditshme (në raport me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij) dhe një tjetër në raport me krijimin, me artin letrar. Ai nuk fliste për poezitë e tij, përveçse rrëshqitazi, pa ndonjë dëshirë të theksuar që ta bënte këtë. Ishte i paimponueshëm në jetë, andaj nuk donte të “imponohej” as me krijimet e tij.
Duke qenë vetë mësues letërsie e rrjedhimisht lexues sistematik, ai duket t’i ketë vënë vetes kritere të rrepta për botim, ashtu siç bëjnë krijuesit e vërtetë, që e mbyllin gojën kur s’kanë çfarë të thonë, ndërsa atëherë kur kanë gjë për të thënë, e thonë guximshëm. Xhevdeti, pra, e mbante gojën mbyllur kur s’kishte çfarë të thoshte, por atëherë kur shkroi, dëshmoi se e njihte mjeshtërinë e të shkruarit letrar dhe të ligjërimit poetik. Dhe, si rezultat i kësaj njohjeje, ne kemi sot në duar librin “Shtegtim shpirtëror”.
Shpalosje e programit të tij jetësor
Nëse e pranojmë mendimin teorik postmodern, se letërsia ushqehet me letërsi, letërsia ushqehet me vetvete, lirisht mund të them se përjashtim në këtë rrafsh nuk bën as Xhevdet Krasniqi. Për më tepër, poezia e tij, pos që ushqehet me letërsi (të kujtojmë poezinë ku ai përmend “Vargjet e lira” e prozën “Lagja e varfun” të Migjenit etj., pastaj refleksionet ideore dhe tematike nga letërsia e traditës) ajo ushqehet me vuajtje, me dhembje, me dashuri, me ankth, me pritje, me shpresë - për një ditë më të mirë, për një jetë pa krajata. Pra, kjo poezi ushqehet nga vetë jeta e viteve ’90, kohë e përthyerjve të mëdha në aspektin nacional, që u reflektua natyrshëm edhe në fatin e individit, që përpiqej ta tejkalonte veten për hir të së ardhmes. Fati jetësor i poetit është njëkohësisht fati i poezisë së tij - një parakalim nëpër dallgët e jetës, që në këtë nënqiell ishin të tmerrshme, të kobshme:
Hije të zeza sillen rreth kasolles
M’i trazojnë mendimet
Më vjedhin buzëqeshje,
shkruan ai te poezia “Eja” dhe vijon:
Largohuni
Ju ma vidhni lumturinë
Ju
Doni të më rrëmbeni rininë.
Poezisë së Xhevdetit nuk i mungon frymëzimi, nuk i mungon gjallëria, nuk i mungon ai tipar që të trand shpirtin. Poezia e tij është shkruar në vitet ’90, në kohën kur jo pak krijues vuanin nga patetizmi folklorik e glorifikues, si dhe eksperimentimi letrar. Në këtë pikë, ai mbeti poet i vërtetë, që s’shkruan art për hir të artit, por botën e tij shpirtërore e shpreh në tërë totalitetin e saj përmes mediumit të poezisë (por edhe të rrëfimit shumë të sinqertë autobiografik). Duket se aty ku ndalet së shkruari poezi, poeti e fillon rrëfimin autobiografik, apo edhe anasjelltas. Këtu fillon një rrëfim tjetër, edhe më i drejtpërdrejtë. Në autobiografinë “Jeta ime” autori ravijëzon ecejaket e tij jetësore. Renditja do të ishte edhe e përmbysur, por rezultati do të jetë i njëjtë, Xhevdeti vazhdon të rikrijojë idetë e tij edhe në këtë pjesë, duke e dhënë të lakuriqësuar një botë të tërë, por pa u dorëzuar para saj. Dhe, plot optimizëm vazhdon të frymojë edhe atëherë kur jeta nuk i buzëqesh dhe kur “gëzimet e jetës mund t’i numëronte me gishta”, duke zbuluar intimen që i jepte kënaqësi e që sillet në kufijtë mes “shpirtit të njeriut” fizik e artit letrar. “Ky është njëri prej atyre pak gëzimeve që i përjetova gjatë jetës sime…”, thotë ai në përmbyllje të pjesës autobiografike “Jeta ime”.
Gjithmonë duke rishkruar idetë e tij, në shumë raste iluministe, atdhetare, altruiste e gjithsesi humane, ai paraqitet një altruist i vërtetë. Ai i ka vënë vetes për detyrë të përpiqet dhe të punojë deri në fund për të arritur te ideali i tij. Në momentin kur do të pritej që të dorëzohej, i dërrmuar para furtunës, ai në dialog me babanë, që është një dialog i përhershëm me të kaluarën dhe të ardhmen, me traditën dhe bashkëkohësinë dhe para së gjithash në referencialitet me aktualen, thotë: “Ti baba, rri i qetë e i fortë, ashtu siç ishe deri më tani dhe mos iu dorëzo dallgëve të jetës. Të lutem, o baba, kapërceji fanatizmat që të plakën para kohe. Ndryshe do të bëhem i padëgjueshëm, o baba dhe do të detyrohem ta kthej fjalën, të kundërshtoj, sepse o babë, unë e kam zgjedhur rrugën time dhe nuk ndahem nga ajo për asnjë çmim, sepse është rruga që na shpie përpara…” Poeti e ka ngritur zërin në një moment dhe ka bërë një deklaratë të fuqishme; ka shpalosur programin e tij jetësor, sepse ai e dinte ç’bënte, kishte një plan të saktë e të qartë dhe kishte një cak ku synonte. Për të arritur atje, ai nuk do të lejonte ta ndalë askush. Janë sinjale të një hakërrime drejtuar kohës që po i vidhte moshën, freskinë, jetën.
Poezia e tij është vetë jeta
Me nota tronditëse, tmerrësisht prekëse e të dhimbshme skajshmërisht, ai do të shkruajë:
“Është ditë e zymtë
Sepse sot po ndahem nga vetmia
ngase vetmia e tij është mbushur mërzi, ndërkohë poeti ka vendosur që ta lërë të qetë vetminë e tij, “të këndellet e të gjallërohet”, ndërsa i ka vënë përbri përemrin pronor “ime’ duke e personalizuar. Ai ka një vetmi të veten, cilën në fund të poezisë e portretizon kështu:
Unë nuk e kam dashur vetminë
Ajo gjithmonë më ka ndjekur
Vetmia ime.
Ai jeton me vetminë, duke e sfiduar dhe duke e mbushur ndërkohë boshllëkun me aq sa kishte mundësitë, dhe sërish, në vetminë e tij, u drejtohet miqve, plot humanizëm e altruizëm, me ngjyrime tronditëse të një drame personale:
“Ty vëlla (shok) të lutem, të lutem shumë gëzohu me fatin tënd se kur ti je i lumtur, atëherë edhe unë jam. Ndonjëherë e teproj me zemërimin tim, por këtë nuk e bëj për ta helmuar jetën tënde, por e bëj nga mallëngjimi dhe mërzia që më mundojnë. Nga ti kërkoj, aq sa të mundesh, të mos lejosh që të më brejë krimbi i mërzisë…”
Poezia e tij është vetë jeta, ajo është vetë njeriu, vetë poeti me botën e tij krijuese, që fatkeqësisht s’e kuptoi kush. Dhe as kërkonte që ta kuptonin. Duket se poeti këtë moskuptimësi (e keqkuptimësi) e kishte kuptuar shumë mirë, andaj edhe fakti që kurrë nuk ka folur për poezitë e tij, tregon se universi i tij poetik nuk kishte nevojë për galaktika tjera, ai bënte rrugën e vetë për të ardhur deri te ne përmes shtegtimit shpirtëror. Duket se trandjet shpirtërore ai i kishte dhunti nga Hyji, i cili e mori nga kjo botë herët, por na la poezinë e tij. Dhe, në vetminë e përjetshme, Xhevdeti nuk do të jetë më vetëm, do të jetë mes miqsh të fjalës së bukur artistike, për të dialoguar me ta pa pra, pa u imponuar, pa arbirtrarizëm, por ashtu thjesht, lirshëm, si vetë ai, si vetë magjia e fjalës së bukur artistike. Në poezitë e librit “Shtegtim shpirtëror”, ndonëse vëllimisht e paktë, përbërësit tematikë korrespondojnë me temat e mëdha të letërsisë së përbotshme, si: jeta, vdekja, dashuria, dhuna ideologjike, tirania, fati i individit, fati i njeriut, duke i dhënë thellësisht nota të tokës dhe të shpirtit shqiptar.
Poezi të krijuara në kohën e tmerrit
Poezia e Xhevdet Krasniqit në njëfarë mënyre dëshmon pjekuri artistike kur arrin që dhembjen personale ta bëjë dhembje kolektive, apo thënë ndryshe, ndoshta dhimbja e tij është edhe dhimbje e kolektivit. Ai artikulon ëndrrat e një brezi të tërë të viteve ’90 i cili përballet çdo ditë edhe me ekzistencën biologjike dhe fizike. I ndodhur përballë një rrethane të tillë, ai natyrshëm do të kërkojë që ”hija e vdekjes” t’ia lëshojë rrugën, ndërsa buzëqeshja t’i vijë së paku një herë, qoftë edhe pas mesnatës, atëherë kur ai është “duke pritur agimin”:
Gjumin atë natë nuk e doja
Se mbetej nata e vetmuar
Pa mua
Pa mërzinë time
Pa kujtimet e mia të hidhura.
Fati i rëndë i jetës nën dhunën sistematike të aparatit shtetëror dhe lufta e hapur shfarosëse që po i kurdisej një populli të tërë, nuk e thyen asnjëherë shpirtin atdhetar e njerëzor të poetit. Ai nuk gjunjëzohet, nuk përkulet, nuk thyhet. Në rrethana të tilla projekton të ardhmen e vet, që mund të jetë një lloj predikimi edhe për fatin kolektiv:
Të shkelur, të robëruar s’do të jetojmë
Çdo furtunë prej armikut do ta përballojmë
Tokën tonë të lashtë me gjak do ta mbrojmë
Trimëritë e heronjve tanë kurrë s’do t’i harrojmë.
Duke qenë gazetar, Xhevdeti nuk mund të kryqëzonte duart para fakteve dhe të linte në heshtje zhvillimet e kohës. Kështu, ai bëri portretin e bashkëvendësit të tij, Nasimi Elshanin, të cilin e vlerëson si “një ndër shtyllat kryesore të aktivitetit kombëtar në vitet ‘81-‘90 në komunën e Rahovecit”.
Në linjë të njëjtë motivimi ideor, autori shkroi dramën “Qëndresa”. Aty na jepet me tablo të gjalla e të drejtpërdrejta një fragment përballjeje të hapur me aparatin e dhunës, me këtë mekanizëm shkatërrues, përmes fatit të një familjeje shqiptare që ka vendosur të vetësakrifikohet për idealin.
Uni poetik i Xh. Krasniqit tani përfaqëson një brez të tërë, ndërsa vargjet e tij poetike na vijnë si pjesë të shkëputura të një mozaiku që ta përkujton ferrin e kapërcyer. Poezitë e tij janë të krijuara në kohën e tmerrit, kur një kolektivitet i tërë luftonte me demonët e ferrit. Në njëfarë forme, poezia e Xhevdetit del si një reagim personal artistik përballë natës së errët që te dritarja i sjell vdekjen.
Kjo poezi është një lloj profecie, një parathënie e epilogut të tij të hershëm jetësor e artistik, që nuk arriti ta formësonte dhe ta rrumbullakonte tërësisht. Është një ëndërr e lënë përgjysmë, ashtu siç mbeten çdoherë përgjysmë ëndrrat e bukura. Është një kërkim i përhershëm e i ngulmët në qiejt e përjetësisë e të dhembjes, atje ku ndodhet shpirti i poetit- në mes përjetësisë së vargut e shtegtimit të pasosur të shpirtit, drejt qetësisë së amshuar.
http://www.kosova-sot.info/?p=20402
No comments:
Post a Comment