November 22, 2010

Poezi

Enver Sulaj
  
POEZI
  
NË KËRKIM TË METAFORËS

Duke të kërkuar Ty
e gjeta vetminë

Duke kërkuar një metaforë
e gjeta vargun:
jeta është bari
që e kosit vdekja.

Duke kërkuar një copë mal
për të strehuar nostalgjinë
e gjeta syrin
që s’ngopet me barin
e gjeta malin
e gjeta mallin
dhe një kosë
që i rri përmbi pikëllimit.

Korrik 2010

NJË PIKË LOTI NË PETALET E VJESHTËS

Kam nevojë për një buzëqeshje sot
Jo asi që ngrijnë në buzë e tradhtojnë shpirtin
e mbeten prapa në hijen e dyshimit
Por buzëqeshje të ngrohta shpirti
Që e largojnë mërzinë, e dëbojnë pikëllimin.

Në net të gjata e të zymta si harrimi
Në ditë të shkurtra si agmia e jetës
Mungon diçka në këtë stinë
-një ngjyrë, një pikë loti në petalet e vjeshtës

Si një rreze drite që davarit natën pa hënë
Si një fije drithëruese që kapërthen horizonte pritjeje
Ashtu është ky mëngjes i vranët vjeshte
dhe më besoni miq
i mungon një e sinqertë buzëqeshje.


TI I JEP KUPTIM VETMISË

Mbi shkrptimë të zjarrtë të qiellit, sipër yjeve të praruar,
farfurin një ndjenjë e zjarrtë, në një shpirt të shqetësuar.
A është natë nuk mund ta them, në pikë vape pranë liqenit,
drithërimë e shpirtit t’gjorë se ç’i jep hijeshi tmerrit.

Mes dy zjarresh, mes dy lotësh ti i jep kuptim vetmisë,
thash të thur ca vargje zemre për pasion të bukurisë
Vjen mëngjesi, nis një ditë, engjëllore me plot shpresë,
jam te pritja, jam te zjarri, ndjenjë e shenjtë asesi t’vdesë.


HESHTJE

Fare s’u përpoqa ta shihja syrin tënd në dritën e hënës
As fjalët e lëna peng ditën e martë te kalaja
Ti nuk fole gjë për qiellin me shi
Gjatë qëndrova para altarit të zhgënjimit
Fola me mikun për bestytnitë
Për besimtarët e denjë nga malësia

Ç’të them për ty as ti s’di për vete
A e lëmë me kaq që të mos e shqetësojme vetminë
Unë thur vargje për dashurinë
Ti lexon vargje për dashurinë
Sa fort e kemi përqafuar, o zot, vetminë!


DIKUSH IA VODHI EMRIN LUMIT

në krahët e fluturës
s’shkon më larg se vetja
kënga s’mbaron për një ditë

ç’fat për ata gurë
të rrinë në kalanë e qumështit

këmbën hidhe pastaj ku të duash
me peshë sa fija e flokut

mos u kthe shko me fluturën
dikush ia vodhi emrin lumit

Korrik, 2006


QELESHJA E KULLËS

Nën hijen e malit të Nënshejtit hëngra ca kumbulla të verdha
në lugje druri rridhte uji i ftohtë si akulli i pranverës
Lava sytë dhe pashë lart në mal kurorën e lavdisë
Pastaj eca me miq shtigjeve të gjata të panjohura
Thirra emra të njohur jehona çante rrugën drejt kullës
Gurët ishin në vend, murana na shtroi sofrën
Miku në krye të vendit shpalosi historinë e gjakut të tij
Rrethi ishte i vogël legjendat prekin tokën dhe zemrën e secilit

Blici i fotoaparatit na zgjoi nga transi na kthjelloi së përgjumuri
Dikush tha po largohemi
S’kishte mbetur gjë në këmbë
Shiu na freskoi lëkurën e zhuritur për një këngë majëkrahu
Do të kthehemi sërish, tha një tjetër për t’i vënë qeleshen kullës
Dimër bëhet sërish por bora ikën shpejt nga çatia
Rruga kalonte përmes legjendash
Anash mbeti abacia

Orosh, Mirditë, gusht 2006


PA ASNJË SHËMBËLLIM

valë, valë në qetësi hyjnore
thyhet syprina e liqenit të vakët
në këtë buzëmbrëmje vjeshte

rrathët e ujit hapen e ikin tutje
pa lënë gjurmë në sipërfaqe
që s’ka shëmbëllim
në kreaturat tmerruese neveritëse anemike

pasi ka bërë rrugën e gjatë të heshtjes
ikën pa shikuar mbrapa s’i vë veshin lotit
që e tradhtoi

vala ikën qetë-qetë
e shkrihet në gjirin që i dha jetë

16 shtator 2007


DASHURI E NËNËS

(Nënës nga Korenica e Gjakovës që dogji veten në një lëndinë fshati, tri ditë pasi i sollën në arkivole dy djemtë, të rrëmbyer gjatë luftës nga forcat serbe)

I
mes lëndinës së blertë kur mëngjesi hapte sytë
t’u dogj zemra e djegur për të dy dashuritë

fjalët t’u harxhuan fuqia s’kishte më këmbë
lotët e derdhur gjatë s’ishin pak për një nënë

e deshe jetën e deshe dashurinë
të dyja t’i vranë ta plagosën lirinë

ti nuk je më në mesin tonë emër tjetër s’gjejmë për lirinë
me ne është dhimbja që ta vrau dashurinë

II
mes lëndinës së blertë kur mëngjesi hapte sytë
t’u dogj ty zemra për të dy dashuritë

ti ke veç një emër ashtu siç e ke pasur gjithmonë
i prekshëm veç me dorë të zemrës veç me vrull të zjarrit
kur nuk munde të jetoje e s’mund ta mbaje vajin
u dogje për dashurinë u bëre një me barin

Prizren, 3 qershor 2003
(Poezi të pabotura)


KOHË ANTINJERIU


O antinjeri me siluetë njeriu,
o antishpirt me shpirt fantazme,
ta dish:
në këtë dhe çdo ditë lind një Feniks i ri,
një Nosit endet liqenit plak
dhe zogjve të vet u jep
jetë edhe gjak.

O antishpirt,
o antinjeri,
në petalet e shpirtit tim
le të bjerë edhe shi
se s’dua të besoj në thënien:
korrë lot- kush mbjell dashuri.

***
O antinjeriiiiii…


NYJË NË UJË

Nyja në ujë
s’është si ajo e Gordiut

As fati s’është grua...

Nuk e di kush ka të drejtë-
ndoshta Makiaveli,
ndoshta...


PORTRETI I JETËS

Yjet u vonuan sonte-
nata shumëzohet pa mbarim,
ëndrrat harruan rrugën
e nëpër pluhur bredhin lotët-
i bëjnë portretin jetës.


NISU DREJT GOLGOTËS

Nëse gjarpri ta ka vjedhur
barin magjik të pavdekësisë
e vajtimi i Gilgameshit
ta këput shpirtin,
ti fillo një këngë majekrahu
dhe vazhdimisht kërko shëlbim
nisu drejt Golgotës
atje nuk të shpie veç rruga e vdekjes


A KA DHEMBJA KUFI

Me diell e hënë në kokë
numëroj fijet e barit të pashkelur
aty ku dhembja ime
lufton me vdekjen...

Të falem, o Zot,
që dhembjes m'i dhe jetë!


FLETË NGA DITARI INTIM

Dita e parë agoi me shi,
derisa rrugët zgjateshin
si çamçakëzi në duar fëmije
e fjalët fryheshin si balona
në gojën e të rriturve.

Dita e dytë
agoi me Buzmin e Krishtlindjes
në vatër
e zjarrin e pashuar të natës
që lidh brezat.

Ditën e tretë, në mëngjes,
ra bora e parë atë dimër,
kur hijet ngriheshin në pritje
dhe statujat kishin nevojë
për pak ngrohtësi,
ashtu si ditën e parë
që agoi me shi…

Prishtinë, shtator-dhjetor,1994


ISHTE NJË KOHË


Ishte një kohë
kur Zotin
njerëzit e bënë “shok”.

Ishte një kohë
kur gjenet hanin veten
e kurrë s’ngopeshin.

Ishte një kohë
kur harta gjeografike
kufijtë i kishte
tela me gjemba

Ishte një kohë
dhe një popull i vogël
që lundronte drejt katastrofës.

Ishte një kohë
që s’meriton as epitaf.


FËMIJËT JANË ENGJËJ

Fëmijët janë lule
që çelin në pranverë,
fëmijët janë diell
që e bëjnë dimrin verë.

Fëmijët janë vesë
që freskon mëngjeset,
fëmijët janë shpresë
që i pakëson dhembjet.

Fëmijët janë këngë
që madhështojnë dasmat,
fëmijët janë burim uji
që i ftohin gjakërat.

Fëmijët janë engjëj
që i gëzojnëperënditë,
fëmijët janë profetë
që i rritin dashuritë.

Fëmijët janë flutura,
Fëmijët janë bletë,
Fëmijët janë engjëj,
Fëmijët janë jetë.

Nga libri “Nyjë në ujë”
Botoi NB "Rilindja", Prishtinë, 1997

No comments:

Post a Comment

Poezi

 Enver Sulaj PETALE TRËNDAFILI   Ujë po pija te mrizi i zanave Kur trëndafili më mbeti në buzë. U dridha si purtekë  Në valët që rriteshin n...