Cikël me poezi
NATA ME SUPERHËNË
Zhgënjimi mund ta mpijë majën e gjuhës
Si helmi pas pickimit të bletës në trupin alergjik
Ndalesh e shikon përreth si kalben njerëzit
Mëson për kozmosin për natën me superhënë
Në meditimet filozofike ta zë rrugën djalli
Nevrikosesh pse në fjalor s’shkruhet me të madhe fjala Zot
E bërtet pastaj në mes turmës që s’të ka faj
Pse anët e horizontit s’ndryshojnë për asnjë shkallë...
Kur u nisëm s’kishte asnjë shenjë drite në kaosin kozmos
Rikrijimi apo krijimi ngjizet me ujin e ajrin
Nyjën s’mund ta zgjidhësh të njomur-
e thatë të pret gishtat të lë vrragë
Të heshtësh mund të vdesësh ngapak
Të flasësh do të vdesësh më shpejt
E s’ka kush të hedhi një grusht dhe
Mbi ujin që të bart drejt detit
Edhe vdekja ka ndryshuar sot
S’ka nevojë për të pame kanunore
aktorë e aktore
Që fjalën e kanë në maje të gjuhës
Si gjuha e helmuar helmin e bletës
Atdheun mos e shaj
se s’të ka faj...
Maj 2012
MBI URËN E PELEGRINËVE
Mbretit tim, Gjergjit
Ku ta gjej mbretin tim
Mbi urën që ia puthin këmbët
Pelegrinë nga mbarë rruzullimi
Ndër dhëmbë mallkoj motin
Kur u zu dielli
Mbi Arbërinë time fatprerë
Në majë të Katedrales
Kaltëron qielli i harrimit
Që zhduk të gjitha dashuritë tinzare
Rrugët i lagu shiu sot
E ra qetë-qetë mbi staujën e mbretit
Do të vish përsëri
Më thotë syri i gruas
Që ia njeh sekretin djallëzisë
Edhe unë i them po, do të vij përsëri
T’i puth faqet vetmisë
E, ti, mbreti im në bronz
Mos m’i zhduk ëndrrat e Arbërisë
Që m’i mbush sytë lot
Sa herë lexoj poezitë e dashurisë
Pragë, 5 prill 2012
Mbretit tim, Gjergjit
Ku ta gjej mbretin tim
Mbi urën që ia puthin këmbët
Pelegrinë nga mbarë rruzullimi
Ndër dhëmbë mallkoj motin
Kur u zu dielli
Mbi Arbërinë time fatprerë
Në majë të Katedrales
Kaltëron qielli i harrimit
Që zhduk të gjitha dashuritë tinzare
Rrugët i lagu shiu sot
E ra qetë-qetë mbi staujën e mbretit
Do të vish përsëri
Më thotë syri i gruas
Që ia njeh sekretin djallëzisë
Edhe unë i them po, do të vij përsëri
T’i puth faqet vetmisë
E, ti, mbreti im në bronz
Mos m’i zhduk ëndrrat e Arbërisë
Që m’i mbush sytë lot
Sa herë lexoj poezitë e dashurisë
Pragë, 5 prill 2012
FLETËT E BARIT I LËKUND ERA
Të shkruash histori në bazë dokumentesh
qenka njësoj si ta puthësh Penelopën e vdekur
Të flasësh për lirinë
duhet të jesh dergjur birucave së paku nja 30 vjet
si Atë Zef Pllumi
Pjetër Arbnori
e Adem Demaçi
pastaj eja më trego si gatuhet kulaçi
Që të dehesh me aromën e lules me drithërimën e mallit
lexoji Psallmet e dhimbjes
Epitafin te varri i djalit…
Mbi prush s’ digjen veç buzët
por edhe korpi pa fije lëngu të kuq
Mos e shtrydh veten kot se ti je një askush
Fletët e barit që t’i lëkund era para hundës
janë mbetje mortore të një stine
që mori me vete gjithçka
veç teje
Fjalës
dhe Zjarrit
Qershor 2008
PELLG HARRIMI
Në ëndrra të çmendura e njoha dikur
Veshur me mistere të pazbërthyeshme
Si enigma për Atlantidën
Nuk mjaftonin ditët për t’i ndjerë dhembjen e bukur
Gjithçka ishte e dëlirë e fisnike si loti në pasqyrë
Derisa një ditë nata harroi të vishte dhuratën e diellit
S’është e mundur të ketë qenë imazh i papërsëritshëm
ai çast kur shpërtheu gjithçka në ajri
e pemët e lulëzuara i harruan frytet në degë
Se shpejt erdhi vjeshta
duke e soditur në parakalim njeriun
Kam frikë ta shtrij dorën drejt pellgut të harrimit
se mjaftojnë ngjyrat që lëshoi nata
2 prill 2011
Në ëndrra të çmendura e njoha dikur
Veshur me mistere të pazbërthyeshme
Si enigma për Atlantidën
Nuk mjaftonin ditët për t’i ndjerë dhembjen e bukur
Gjithçka ishte e dëlirë e fisnike si loti në pasqyrë
Derisa një ditë nata harroi të vishte dhuratën e diellit
S’është e mundur të ketë qenë imazh i papërsëritshëm
ai çast kur shpërtheu gjithçka në ajri
e pemët e lulëzuara i harruan frytet në degë
Se shpejt erdhi vjeshta
duke e soditur në parakalim njeriun
Kam frikë ta shtrij dorën drejt pellgut të harrimit
se mjaftojnë ngjyrat që lëshoi nata
2 prill 2011
PLAKU I FLAMURIT
Cili je ti more burrë,
që na vjen nga lashtësia,
me flamur të kuq në dorë,
e një këngë të zjarrtë si flaka:
-Është e jona Shqipëria.
Cili je, cili je,
Pyes çdo vit n’këtë ditë sot
dhe një mall, i zjarrtë i shenjtë
m’bën të derdh një pikë lot.
Cili je, cili je...
-askush pyetjes s’i jep udhë,
vjen një ditë e shenjtë si kjo
bashkë me lavdin për për një burrë.
S’do t’pyes më se cili je
asnjëherë që nga sot...
Veç një mall më vlon në shpirt
Po më nxjerr sot një lot...
Cili je e thotë Flamuri,
shpirt i kombit që bën dritë,
si tallaz vjen nga lashtësia
për të shembur sot kufinjtë.
Cili je mos ma thuaj,
e thotë foshnja n’djep të drurit
E thotë kënga majë qiellit
-ti je Plaku i Flamurit.
Cili je, cili je...
e thotë shpirt dhe liria,
E thotë këngë e lashtë e mallit:
-Është e jona Shqipëria.
Prizren, 28 nëntor 2011
Cili je ti more burrë,
që na vjen nga lashtësia,
me flamur të kuq në dorë,
e një këngë të zjarrtë si flaka:
-Është e jona Shqipëria.
Cili je, cili je,
Pyes çdo vit n’këtë ditë sot
dhe një mall, i zjarrtë i shenjtë
m’bën të derdh një pikë lot.
Cili je, cili je...
-askush pyetjes s’i jep udhë,
vjen një ditë e shenjtë si kjo
bashkë me lavdin për për një burrë.
S’do t’pyes më se cili je
asnjëherë që nga sot...
Veç një mall më vlon në shpirt
Po më nxjerr sot një lot...
Cili je e thotë Flamuri,
shpirt i kombit që bën dritë,
si tallaz vjen nga lashtësia
për të shembur sot kufinjtë.
Cili je mos ma thuaj,
e thotë foshnja n’djep të drurit
E thotë kënga majë qiellit
-ti je Plaku i Flamurit.
Cili je, cili je...
e thotë shpirt dhe liria,
E thotë këngë e lashtë e mallit:
-Është e jona Shqipëria.
Prizren, 28 nëntor 2011
NË KËRKIM TË METAFORËS
Duke të kërkuar Ty
e gjeta vetminë
Duke kërkuar një metaforë
e gjeta vargun:
jeta është bari
që e kosit vdekja.
Duke kërkuar një copë mal
për të strehuar nostalgjinë
e gjeta syrin
që s’ngopet me barin
e gjeta malin
e gjeta mallin
dhe një kosë
që i rri përmbi pikëllimit.
Korrik 2010
NDOSHTA ISHTE ERA
Përpiqem ta prek flokun e thinjur në kokën plot zjarrmi e ethe
Shikimi i trishtë mbush kupën me hije të zeza si nata e vjeshtës
S’ka vend për romancë sonte i them heshtjes dhe vras mendjen gjatë
Hapësira e zbrazët nuk mbushet me vetmi shpirtrash që shkatërrojnë jetën
E pashë sa shumë më kishte munguar balta e moçalit e bari i pashkelur
Pas meje mbetet gjurma e këpucevë me baltë e fijet e barit me kokë teposhtë
Po shkoj edhe një herë këndej malit
për të parë dritën e diellit në syrin e distancës së pafundme kohore
Aty s’ishin njerëzit që ma zunë rrugën një ditë me diell tek kthehesha në shtëpi
Nuk isha fëmijë veç po luaja me fatin tim dhe lojën që s’e nisa kurrë
Te shtëpia me qerpiçë tavolina ishte zbarzur e gotat ishin thyer e bërë spirra
Të ngresh dolli me vrasësit është njëjtë si të puthësh vdekjen në sy
Tmerrohem nganjëherë me fjalët e mia me imazhet çmendurake e vrastare
por frikën dua ta mund se s’di a e munda atë ditë që ishte natë e atë natë
kur pritnim të çelte dita tjetër
S’qenka gjë romani i thashë vetes tek shikoja rrëzë malit tytën që vëzhgonte hapin
Aq gjatë zgjati pritja sa kërcënimi i duhanxhiut ishte si fluskë sapuni
Instikti amnor kishte shqetësuar njerëzit që s’dinin ku mbaronte rruga e nisur ditë më parë
Askush s’dukej në fushë e askush s’po hidhte farë në ugar
Si erdhi kjo ditë kur njeriu harron kodin e lashtë e ritet magjike që mbrojnë foshnjen
nga të ligat që rrinë fshehts si qeni i egërsuar te kolibja e qelbur
Qenka bukur të rikujtosh tregimet reale e të paqena të dashnorëve që lehin si qen
e qentë lehin kot në mesnatë ku njeriu pret t’i puthësh dorën e mpirë
Qenka bukur të ecësh në shtegun që dikur e braktise për t’u rikthyer në stinën e luleve
vërtet qenka magjiplote dita kur shikon të çelin lulet që aromën moti s’ua ke ndjerë
Qenka bukur të ecësh e të sodisësh livadhet e pakosituara ku dikur
argatët pritnin gishtërinjtë në vend që të mihnin arën me misër të njomë
Përpiqem ta prek dhe njëherë flokun e thinjur në kokën plot zjarrmi e ethe
në këtë rrugë që moti s’e kam bërë e ku kam dashur të kaloj ngaherë
ktheva kokën të dëgjoja një fishkëllimë e s’dëgova gjë fare
nuk isha as unë, as ti, askush
ndoshta ishte era...
Prill 2011
PORTA E DËSHPËRIMIT
Sot jam zhgënjim fatprerë i ditës së perënduar
Sot jam këngë e lashtë e lahutarit të vonuar
Sot jam lumë i trazuar në shtratin e përdëllimit
Sot jam fjalë e zjarrtë në altarin e amshimit
Sot jam revoltë në portën e dëshpërimit
Maj, 2011
AI ZJARR ATJE
12 vjet më parë, në një mbrëmje si kjo sonte…
Ai zjarr atje shënon fundin e natës pa hënë
Ai lot që lagu faqen është fundi i prangave të shpirtit
Po thonë se nesër do të jetë ditë me diell
-ta shohim ditën njëherë
-pastaj dritën
-diellin…
…dhe në fund
githçka do të qetësohet
Mos kini frikë nga liria
ajo edhe nëse ju vret
përsëri ju lë të lirë
Rit i lashtë ky
cikël i pakëputur në natyrë
Ai lot që lagu faqen është fundi i prangave të shpirtit
Po thonë se nesër do të jetë ditë me diell
-ta shohim ditën njëherë
-pastaj dritën
-diellin…
…dhe në fund
githçka do të qetësohet
Mos kini frikë nga liria
ajo edhe nëse ju vret
përsëri ju lë të lirë
Rit i lashtë ky
cikël i pakëputur në natyrë
24 mars 2011
NJË PIKË LOTI NË PETALET E VJESHTËS
Kam nevojë për një buzëqeshje sot
Jo asi që ngrijnë në buzë e tradhtojnë shpirtin
e mbeten prapa në hijen e dyshimit
Por buzëqeshje të ngrohta shpirti
Që e largojnë mërzinë, e dëbojnë pikëllimin.
Në net të gjata e të zymta si harrimi
Në ditë të shkurtra si agmia e jetës
Mungon diçka në këtë stinë
-një ngjyrë, një pikë loti në petalet e vjeshtës
Si një rreze drite që davarit natën pa hënë
Si një fije drithëruese që kapërthen horizonte pritjeje
Ashtu është ky mëngjes i vranët vjeshte
dhe më besoni miq
i mungon një e sinqertë buzëqeshje.
TI I JEP KUPTIM VETMISË
Mbi shkrptimë të zjarrtë të qiellit, sipër yjeve të praruar,
farfurin një ndjenjë e zjarrtë, në një shpirt të shqetësuar.
A është natë nuk mund ta them, në pikë vape pranë liqenit,
drithërimë e shpirtit t’gjorë se ç’i jep hijeshi tmerrit.
Mes dy zjarresh, mes dy lotësh ti i jep kuptim vetmisë,
thash të thur ca vargje zemre për pasion të bukurisë
Vjen mëngjesi, nis një ditë, engjëllore me plot shpresë,
jam te pritja, jam te zjarri, ndjenjë e shenjtë asesi t’vdesë.
HESHTJE
Fare s’u përpoqa ta shihja syrin tënd në dritën e hënës
As fjalët e lëna peng ditën e martë te kalaja
Ti nuk fole gjë për qiellin me shi
Gjatë qëndrova para altarit të zhgënjimit
Fola me mikun për bestytnitë
Për besimtarët e denjë nga malësia
Ç’të them për ty as ti s’di për vete
A e lëmë me kaq që të mos e shqetësojme vetminë
Unë thur vargje për dashurinë
Ti lexon vargje për dashurinë
Sa fort e kemi përqafuar, o zot, vetminë!
DIKUSH IA VODHI EMRIN LUMIT
në krahët e fluturës
s’shkon më larg se vetja
kënga s’mbaron për një ditë
ç’fat për ata gurë
të rrinë në kalanë e qumështit
këmbën hidhe pastaj ku të duash
me peshë sa fija e flokut
mos u kthe shko me fluturën
dikush ia vodhi emrin lumit
Korrik, 2006
QELESHJA E KULLËS
Nën hijen e malit të Nënshejtit hëngra ca kumbulla të verdha
në lugje druri rridhte uji i ftohtë si akulli i pranverës
Lava sytë dhe pashë lart në mal kurorën e lavdisë
Pastaj eca me miq shtigjeve të gjata të panjohura
Thirra emra të njohur jehona çante rrugën drejt kullës
Gurët ishin në vend, murana na shtroi sofrën
Miku në krye të vendit shpalosi historinë e gjakut të tij
Rrethi ishte i vogël legjendat prekin tokën dhe zemrën e secilit
Blici i fotoaparatit na zgjoi nga transi na kthjelloi së përgjumuri
Dikush tha po largohemi
S’kishte mbetur gjë në këmbë
Shiu na freskoi lëkurën e zhuritur për një këngë majëkrahu
Do të kthehemi sërish, tha një tjetër për t’i vënë qeleshen kullës
Dimër bëhet sërish por bora ikën shpejt nga çatia
Rruga kalonte përmes legjendash
Anash mbeti abacia
Orosh, Mirditë, gusht 2006
PA ASNJË SHËMBËLLIM
valë, valë në qetësi hyjnore
thyhet syprina e liqenit të vakët
në këtë buzëmbrëmje vjeshte
rrathët e ujit hapen e ikin tutje
pa lënë gjurmë në sipërfaqe
që s’ka shëmbëllim
në kreaturat tmerruese neveritëse anemike
pasi ka bërë rrugën e gjatë të heshtjes
ikën pa shikuar mbrapa s’i vë veshin lotit
që e tradhtoi
vala ikën qetë-qetë
e shkrihet në gjirin që i dha jetë
16 shtator 2007
DASHURI E NËNËS
(Nënës nga Korenica e Gjakovës që dogji veten në një lëndinë fshati, tri ditë pasi i sollën në arkivole dy djemtë, të rrëmbyer gjatë luftës nga forcat serbe)
I
mes lëndinës së blertë kur mëngjesi hapte sytë
t’u dogj zemra e djegur për të dy dashuritë
fjalët t’u harxhuan fuqia s’kishte më këmbë
lotët e derdhur gjatë s’ishin pak për një nënë
e deshe jetën e deshe dashurinë
të dyja t’i vranë ta plagosën lirinë
ti nuk je më në mesin tonë emër tjetër s’gjejmë për lirinë
me ne është dhimbja që ta vrau dashurinë
II
mes lëndinës së blertë kur mëngjesi hapte sytë
t’u dogj ty zemra për të dy dashuritë
ti ke veç një emër ashtu siç e ke pasur gjithmonë
i prekshëm veç me dorë të zemrës veç me vrull të zjarrit
kur nuk munde të jetoje e s’mund ta mbaje vajin
u dogje për dashurinë u bëre një me barin
Prizren, 3 qershor 2003
(Poezi të pabotura)
KOHË ANTINJERIU
O antinjeri me siluetë njeriu,
o antishpirt me shpirt fantazme,
ta dish:
në këtë dhe çdo ditë lind një Feniks i ri,
një Nosit endet liqenit plak
dhe zogjve të vet u jep
jetë edhe gjak.
O antishpirt,
o antinjeri,
në petalet e shpirtit tim
le të bjerë edhe shi
se s’dua të besoj në thënien:
korrë lot- kush mbjell dashuri.
***
O antinjeriiiiii…
NYJË NË UJË
Nyja në ujë
s’është si ajo e Gordiut
As fati s’është grua...
Nuk e di kush ka të drejtë-
ndoshta Makiaveli,
ndoshta...
PORTRETI I JETËS
Yjet u vonuan sonte-
nata shumëzohet pa mbarim,
ëndrrat harruan rrugën
e nëpër pluhur bredhin lotët-
i bëjnë portretin jetës.
NISU DREJT GOLGOTËS
Nëse gjarpri ta ka vjedhur
barin magjik të pavdekësisë
e vajtimi i Gilgameshit
ta këput shpirtin,
ti fillo një këngë majekrahu
dhe vazhdimisht kërko shëlbim
nisu drejt Golgotës
atje nuk të shpie veç rruga e vdekjes
A KA DHEMBJA KUFI
Me diell e hënë në kokë
numëroj fijet e barit të pashkelur
aty ku dhembja ime
lufton me vdekjen...
Të falem, o Zot,
që dhembjes m'i dhe jetë!
FLETË NGA DITARI INTIM
Dita e parë agoi me shi,
derisa rrugët zgjateshin
si çamçakëzi në duar fëmije
e fjalët fryheshin si balona
në gojën e të rriturve.
Dita e dytë
agoi me Buzmin e Krishtlindjes
në vatër
e zjarrin e pashuar të natës
që lidh brezat.
Ditën e tretë, në mëngjes,
ra bora e parë atë dimër,
kur hijet ngriheshin në pritje
dhe statujat kishin nevojë
për pak ngrohtësi,
ashtu si ditën e parë
që agoi me shi…
Prishtinë, shtator-dhjetor,1994
ISHTE NJË KOHË
Ishte një kohë
kur Zotin
njerëzit e bënë “shok”.
Ishte një kohë
kur gjenet hanin veten
e kurrë s’ngopeshin.
Ishte një kohë
kur harta gjeografike
kufijtë i kishte
tela me gjemba
Ishte një kohë
dhe një popull i vogël
që lundronte drejt katastrofës.
Ishte një kohë
që s’meriton as epitaf.
FËMIJËT JANË ENGJËJ
Fëmijët janë lule
që çelin në pranverë,
fëmijët janë diell
që e bëjnë dimrin verë.
Fëmijët janë vesë
që freskon mëngjeset,
fëmijët janë shpresë
që i pakëson dhembjet.
Fëmijët janë këngë
që madhështojnë dasmat,
fëmijët janë burim uji
që i ftohin gjakërat.
Fëmijët janë engjëj
që i gëzojnëperënditë,
fëmijët janë profetë
që i rritin dashuritë.
Fëmijët janë flutura,
Fëmijët janë bletë,
Fëmijët janë engjëj,
Fëmijët janë jetë.
Nga libri “Nyjë në ujë”
Botoi NB "Rilindja", Prishtinë, 1997
No comments:
Post a Comment