Enver Sulaj
PETALE TRËNDAFILI
Ujë po pija te mrizi i zanave
Kur trëndafili më mbeti në buzë.
U dridha si purtekë
Në valët që rriteshin ngadalë.
A ishte nektar perëndish
Apo mallkim zanash
Këtë nuk e mora vesh kurrë.
Vetëtimat mbi kokë e në kokë
Sikur djegin pellgje të braktisura nepërkash
Që ta helmojnë trupin.
Petalet e trëndafilit në buzë
Rrinë pezull si fjala.
Maj, 2015
Nga libri "Zjarrmia e stinës", 2016